Sunday, January 29, 2012

parandalimi i droges


Droga dhe parandalimi i saj


Dr. med. Musli Ferati
Është një rrjet aq mirë i organizuar i prodhimit, përpunimit, distribuimit dhe përdorimit të drogës, saqë edhe masat më të rrepta legale nuk kanë gjasa për një kohë të gjatë ta zhdukin. Mbetet që të kufizohen këto kanale të thella, që të ndërgjegjësohet rinia jonë dhe së paku deklarativisht të potencohen rrethanat parandaluese dhe favorizuese që çojnë në një ekspansion masovik të kësaj shprehie ogurzezë. Kjo për vetë faktin se deri më sot nuk kemi një program nacional kundër narkomanisë, në të cilin rolin e vet të pazëvendësueshëm do ta jepnin të gjitha strukturat dhe institucionet shoqërore e shtetërore, siç janë shërbimi shëndetësor, organet e rendit e të përndjekjes, mediumet, sistemi i përgjithshëm arsimor, feja e të ngjashme. Sugjerimet e mësipërme nuk janë ndonjë parafrazim megaloman, por një përvojë mjaft dobiprurëse që vite me radhë po zbatohet në vendet e zhvilluara perëndimore dhe SHBA.
Në kuptimin gjithpërfshirës droga paraqet një varg materiesh psiko-aktive, të cilat po qe se konsumohen nga ana e njeriut kanë aftësi që të ndryshojnë dhe dëmtojnë seriozisht integritetin psiko-fizik të subjektit i cili i përdorë, gjegjësisht i keqpërdorë ato. Thuhet me të drejtë se abuzimi me këto substanca psikotrope është një problem i madh shoqëror dhe shëndetësor mbarëbotëror, ngase pasojat që dalin nga efektet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga kjo shprehi e kobshme morbogjene janë shumëfish të dëmshme për vetë individin që është bërë rob i marrjes pa masë i materieve dehëse, si dhe për rrethin më të gjerë social ku jeton dhe vepron ky ose një grup më i madh abuzuesish të drogave.
Që të kemi një ide më të qartë mbi këtë fenomen të rrezikshëm mediko-social, dhe jo vetëm kaq, fillimisht do t’i referohemi definicionit mbi varshmërinë nga droga që kohëve të fundit e ka dhënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në të cilin tekstualisht thuhet: Vartësia nga droga paraqet një gjendje të intoksikimit (helmimit) periodik ose kronik me droga natyrale, gjysmësintetike, dhe e cila karakterizohet me një dëshirë dhe apasion të prafrenueshëm që të merret me çdo kusht, prirje për të rritur dozën (toleranca), varshmëri fizike dhe psikike dhe veprimit destruktiv mbi personalitetin e narkomanit. Problemi del se është edhe më i mprehtë kur kihet parasysh fakti se kjo epidemi moderne më së shumti prek rininë, ardhmërinë e çdo komuniteti, në tërë globin, duke mos kursyer asnjë shtreë sociale dhe përkatësi nacionale dhe konfesionale. Dukuri pothuajse e pashmangshme që shoqëron çdo abuzim me këto lëndë shkundulitëse është shfaqja e sindromit abstinencial fill pas ndërprerjes së konsumimit të drogës, shpeshherë edhe me simptome dhe komplikime më të rënda se substanca që ka shkaktuar këtë varshmëri këmbëngulëse.
Në këtë grup materiesh nootropike, para së gjithash, sipas klasifikimit më të ri të çrregulliomeve mentale, që vijnë si rezultat i përdorimit kompulsiv, bëjnë pjesë këto nëngrupe substancash distimike:
  • alkooli
  • opiatet
  • kanabinoidet
  • sedativet dhe hipnotikë
  • kokaina
  • kofeina dhe stimulues të tjerë të sistemit qendror nervor
  • halucinogjenët
  • duhani
  • tretësit që avullohen
  • adikcioni me më shumë lloje drogash njëkohësisht.

No comments:

Post a Comment